Paraqitja e mirë në kampionatin botëror të futbollit ka kthyer në shenjestër të merkatos disa prej anëtarëve të skuadrës së Gjermanisë.
Mesfushori sulmues Mesut Ozil është vënë në qendër të kërkesave për të blerë shërbimet e tij nga disa klube europiane ndërkohë që konfirmohet interesimi i skuadrës italiane të Inter për mesfushorin tjetër Bastian Schweinsteinger.
“Shvajni” mësohet se ka hyrë në planin e ofertave të Inter për një shumë marramendëse prej 46 milionë euro megjithëse negociatat për blerjen e tij ende nuk kanë nisur zyrtarisht.
Mesfushori energjik i Gjermanisë mësohet se është edhe në planet e trajnerit të Real Madrid, Hose Murinjo i cili e ka vëzhguar me imtësi paraqitjen e gjermanit në këtë botëror.
Në syrin e menaxherëve të skuadrave të Champions League është edhe mesfushori tjetër sulmues i Gjermanisë, Muller i cili shënoi pesë gola në këtë botëror duke marrë edhe titullin si lojtari më i mirë i ri i kompeticionit.